Back to Kundër rrënimit të "Hotel Unionit"

Qendrimet e Grupit dhe faktet per ish-Hotel Unionin

Qëndrimet e Grupit Qytetar për mbrojtjen e ish-Hotel Unionit

• Objekti i ish-Hotel Unionit është objekt me rëndësi të lartë kulturore për qytetin e Prishtinës si dhe për kujtesën dhe identitetin e qytetarëve të tij. Për këtë arsye, Komuna e Prishtinës nuk guxon ta rrënojë apo ta zhvendosë atë nga vendndodhja aktuale për asnjë arsye.

• Rrënimi i objektit të ish-Hotel Unionit përbën një krim të rëndë ndaj qytetit të Prishtinës për shkak se e zhduk një nga gjurmët shumë te rralla të arkitekturës dhe kulturës evropiane të fillim-shekullit XX në qytet.

• Rrënimi i ish-Hotel Unionit do të përbënte edhe shkelje të rëndë të ligjeve dhe rregulloreve të Komunës së Prishtinës për shkak se objekti figuron në listën e monumenteve të mbrojtura të kulturës, por edhe për shkak se sipas planit rregullues Zona Qendër 1, të miratuar nga vetë Komuna e Prishtinës, është e paraparë qe objekti i ish-Hotel Unionit të mbetet aty ku është sot.

• Objekti i restauruar në asnjë mënyrë nuk e pengon ndërtimin e Sheshit të Pavarësisë, madje do t’ia shtonte atij madhështinë.

• Objekti i ish-Hotel Unionit duhet të restaurohet, ashtu siç edhe parashihet në kushtet e shitjes që AKM i ka parashtruar blerësit.

Fakte mbi objektin

• Ish-Hotel Unioni është ndërtuar në vitin 1927 me një stil që kombinon elemente të neo-renesancës, neo-barokut dhe Art Nouveau. Ai është një nga shembujt e rrallë të mbetur nga arkitektura e hershme e shekullit XX e cila në Prishtinë solli ndikime nga arkitektura Europiane.

• Në kohën kur u ndërtua, ndërtesa ishte një hotel privat me emrin "Skënderbeu", gjë që mund të dëshmohet me kokat e ingranuara të Skënderbeut në muret e jashtme të ndërtesës. Ndërtuesi i supozuar i saj është arkitekti Andrija Kremer. Pas luftës së dytë botërore Hoteli u nacionalizua nga shteti dhe morri emrin "Union". Gjatë viteve të 90-ta dhe deri në fillim të luftës kati i parë i Unionit u përdor si zyre e postës shtetërore. Ndërtesa u përcaktua si monument kulture në vitin 1996. Gjatë viteve 1997-1999 në këtë ndërtesë u strehuan refugjatët serbë nga Bosnja dhe Hercegovina.

• Disa vite më parë Ministria e Kulturës së Kosovës kishte menduar të shndërronte objektin në Galeri të Arteve Bashkëkohore, mirëpo AKM-ja e privatizoi atë dhe tani objekti është pronë private.

• Ekspertë ndërkombëtarë të dërguar nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian, të cilët kanë punuar në vlerësimin e ndërtesës dhe kostos së restaurimit të saj, kanë përfunduar se "objekti ka vlera të larta artistike, teknologjike dhe hapësinore/urbane".

• Ekspertët e dërguar nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian kanë vlerësuar se kostoja totale e renovimit të Hotel Unionit është 1,432,000 euro.

to comment